ÇELËSI I ARTË I SUKSESIT TË MILOTIT
Alfred Mirashi, ose Milot siç njihet në mjediset e artit, është një prej mijëra shqiptarëve të ardhur në Itali me eksodin. E ndërsa në forma nga më të ndryshmet këtë vit përkujtohet 20 vjetori i kësaj ngjarjeje, një skulpturë e artistit shqiptar është vendosur përpara pallatit të Kinemasë me rastin e festivalit të Filmit, në kuadrin e ekspozitës me titullin Open
Herën e parë që kam parë një ekspozitë të Alfred Mirashit e kam të ngulitur në kujtesë megjithëse kanë kaluar vite. Ishte një mbrëmje dhjetori me shi. Errësira dhe lagështia u shkrinë papritur duke u fshehur në ndonjë cep të humbur të hapësirës sapo hapa derën e sallës. Ngjyrat e telajove të Alfredit më mbështollën me një përqafim të ngrohtë e rrezatues. Ashtu si buzëqeshja e artistit që në vitet e mëpasshme do të gjeja në shumë ekspozita e aktivitete, në katalogë arti e nisma të komunitetit shqiptar në Itali.
Alfred Mirashi, ose Milot siç njihet në mjediset e artit, është një prej mijëra shqiptarëve të ardhur në Itali me eksodin. E ndërsa në forma nga më të ndryshmet këtë vit përkujtohet 20 vjetori i kësaj ngjarjeje, një skulpturë e artistit shqiptar është vendosur përpara pallatit të Kinemasë me rastin e festivalit të Filmit, në kuadrin e ekspozitës me titullin Open.
Një mbërritje, po të bëhej fjalë për dikë tjetër. Vetëm një etapë, për Alfredin që nuk ndalet kurrë. Pas Liceut Artistik “Mujo Ulqinaku” në Durrës, ai ka mbaruar Akademinë e Brerës në Milano. Një përzierje shkollash dhe metodash që me sa duket ka pasuruar artistin Milot. Është ai që mbi shtatë vezë gjigante të vendosura nga vinçat në oborrin e Kështjellës Maschio Angioino në Napoli ka pikturuar ikonat e kohës sonë: nga Maradona tek Nënë Tereza, duke kaluar nga Skënderbeu e Dante. Është ai që ciklin “Cepat Mesdhetarë” e ka çuar në vende të ndryshme të botës, duke përcjellë diellin dhe dritën, gjelbërimin dhe kaltërsinë, Mesdheun, por mbi të gjitha Shqipërinë. E mbart në vetvete, jo vetëm në emrin e artit që ka zgjedhur. E mbart në mënyrën se si ecën e si të sheh drejt në sy, si flet me pasion për folklorin apo zakonet, e përçon në telajo e skulptura. Kritikët shkruajnë se një prej elementëve më origjinalë të veprave të Alfred Mirashit është një përpunimi individual që ai i ka bërë motiveve shqiptare. Drita që përçojnë është ajo e atdheut, ngjyrat janë ato që ai ka thithur në fëmijërinë e tij e që kanë lënë shenjë të thellë tek artisti.
Me entuziazmin që e karakterizon dhe që e transmeton menjëherë ai na dha këtë intervistë. Në lumin e shkumëzuar të ideve të tij, mbetet në mend shikimi i tij, gjithnjë drejt së nesërmes, gjithnjë përpara.
Bota Shqiptare: Ta nisim nga fundi… Si po shkon artisti Milot? Di që është ende e hapur ekspozita Open në Venecia. Me sa di nuk je ndalur …
Alfred Mirashi Milot: Kritiku italian Paolo De Grandis më ftoi në këtë ekspozitë ndërkombëtare pasi i dërgova projektin e skulpturës. Më pëlqeu shumë ideja e ekspozitës Open, sepse ishte shumë afër, bile mund të them që përputhej me frymën e veprave të mija të kohëve të fundit, të cilat kanë pothuajse të gjitha këtë temë: Open. Kam përdorur idenë e çelësit në si në pikturë ashtu dhe në skulpturë, një simbol të hapjes. Sot që bota po kalon një krizë pothuajse në çdo fushë, jo vetëm në ekonomi por edhe në edhe në fushat e tjera, them se duhet të jemi të hapur me njëri-tjetrin sepse në këtë mënyrë edhe shoqëria e sotme forcohet. Mendoj se kjo është rruga e vetme. Skulpturën e punova në studion time në Firence dhe ndoqa idenë që kisha për ta bërë me përmasa të mëdha sepse kështu sikur doja ta forcoja e të nxirrja më bukur atë që kisha menduar. Problemi doli kur skulptura do nxirrej nga studioja. Mu desha të shemb muret anësore. Nuk kishte asnjë mundësi tjetër. Ishim dhjetë veta që për një orë e gjysmë mezi e nxorëm veprën nga studioja që tani u bë edhe ajo Open nga muret (qesh…”nuk bëj shaka”) Kishe qenë dhe më parë në Lido të Venecias në kohën e festivalit të Filmit? Besoj se je ndier pak VIP, jo vetëm sepse ishe në Venecia mes yjeve të kinemasë, por edhe sepse nga e gjithë bota kishte vetëm 27 artistë që merrnin pjesë në ekspozitën Open
Në Venecia pothuajse jam abonuar për të vizituar Bienalet e artit, por ishte hera e parë që shkoja në periudhën e Festivalit të Filmit. Ishin vërtet një atmosferë shumë e veçantë, një ambjent fantastik; ndodheshin atje pothuajse të gjithë aktorët e Hollivudit. Unë isha me familjen time dhe natyrisht që për mua ishte diçka e madhe, mbi të gjitha sepse po ekspozoja skulpturën time mes artistëve nga shumë vende të botës. Jam shumë kureshtare të di si të ka lindur ideja e çelësave. Është vërtet banale të pyesësh një artist se “si i lind një ide”, por mua vërtet më tërheqin çelësat e tu.
Pothuajse krejt rastësisht. Edhe unë kam pasionin e çelësave, koleksionoj çelësa të vjetër. Është një pasion që e njohin edhe shokët e të afërmit e kur shkojnë diku për pushime a punë, kujtohen të më sjellin ndonjë çelës të vjetër. Një ditë po rrihja një copë të vogël hekuri në studio se më duhej për një skulpturë. Djali im i vogël, Gerardi, për të më imituar, kishte marrë një nga çelësat e koleksionit tim e po i binte me çekiç. “Babi, jam duke e rregulluar çelësin e prishur” më tha. U habita; çelësi kishte marrë një formë më të bukur në këtë mënyrë. Kështu lindi ideja e skulpturës që çova në Venecia. Nuk di pse por sa herë që shoh një pikturë tënden, më duket sikur ngjall një lloj nostalgjie, e gëzuar ama, pa aspak trishtim. Ngjyrat e tablove të tua nuk kanë kurrë hije, errësirë. Si shpjegohet një artist i tillë në një vend ballkanik si Shqipëria, ku nuk di a e mban mend thënien: “edhe toka është e ngopur me gjak”.
Më vjen mirë që pikturat e mija të transmetojnë këtë ndjesi. Historia e popujve ballkanikë është pothuajse e ngjashme. Mendoj se ne shqiptarët jemi një komb i çuditshëm: me gjenialitet në çdo fushë. Ja për shembull, në Itali, në çdo lloj profesioni, mjekësi, art, sport, muzikë, literaturë e ku di unë, gjen shqiptarë që ia kanë dalë. Them se njeriu sot duhet të shikojë përpara me optimizëm. Edhe ne duhet të marrim nga kultura jonë e mrekullueshme gjërat më të bukura. Kështu mund t’i tregojmë vetvetes në radhë të parë e të tjerëve më pas se vendi ynë është edhe konstruktiv. Mendoj se nga vuajtjet e mëdha të një kombi lindin edhe gjërat pozitive. Ose e thënë ndryshe: ka në jetë dhe ditë me shi, por dielli është më i fortë dhe ai natyrën e bën plot me ngjyra.
Ka ndikuar në këtë fëmijëria jote? Nga ç’familje vjen Miloti, ai që një kritik e përcakton si “perëndimor, mesdhetar, shqiptar”.
Unë, si shumë bashkatdhetarët e mi që tani ndodhen jashtë Shqipërisë, ika nga sistemi totalitar. Familja ime është një familje e thjeshtë malësorësh, me tradita tipike e të ndershme shqiptare. Në kohën e komunizmit ishim të etiketuar si kulakë sepse gjyshi im kishte pasur tokë e bagëti. Fëmijërinë e kam kaluar në Milot, natyrisht vite të kaluara mes vështirësive. Por në mendjen time kanë mbetur gjërat e bukura: ngjyrat që unë përdor në telajot e mia janë fryt i kësaj kujtese. Për shembull, mjafton të përmend fantazinë dhe ngjyrat, kompozimet e thjeshta të jelekëve e xhamadanëve të qëndisura nga nënat tona. Identiteti ynë mesdhetar është shumë i fortë në historinë e artit botëror. E them se në radhë të parë artisti duhet ta gjejë personalitetin e tij në art, të besojë në idetë e tij dhe kur të prezantohet të mos i ngjaj askujt. Më pas kritikët dhe artdashësit krijojnë idetë e tyre duke vlerësuar individualitetin e stilin artistik. Tanimë veprat e tua kanë arritur një kuotim të lartë, nëse tregu mund të jetë një tregues për artistin. E për këtë nuk kemi si të mos jemi të lumtur dhe krenarë të gjithë. Ke ndonjë plan për të ekspozuar në Shqipëri?
Pas shumë vitesh plot me sakrifica, dalëngadalë dhe pas ekspozimeve të shumta, një ditë dëshirat fillojnë e realizohen siç duket… Në Shqipëri do të vije dhe një ditë që të bëj ndonjë ekspozitë. Unë natyrisht jam i gatshëm. Por nuk mjafton vetëm gatishmëria ime. Për organizimin e një ekspozite janë të shumta elementet e nevojshme dhe duhen bashkuar të gjithë. Ke vuajtur shumë në fillim, kur ke ardhur në Itali. E di që nuk ke shumë dëshirë t’i përmendësh ato kohë sepse realisht tanimë janë larg si në vite ashtu dhe në jetën tënde besoj. Apo ato fillime të kanë lënë shenjë?
Besoj se të gjithë shqiptaret kanë vuajtur shumë në fillim, por ato vuajtje nuk duhen harruar, janë ato që na kanë forcuar më shumë, na kanë shtyrë të kërkojmë diçka pozitive në jetë. Të jetosh një jetë normale është e vështirë sot, imagjino të jetosh me art e sidomos në këtë periudhë ekonomike jo bindëse. Duhet të shikojmë përpara dhe me shumë guxim e vullnet të krijojmë një të ardhme të mirë.
Tani ke krijuar familjen tënde, ke një djalë të vogël. Cili do të ishte urimi yt për të? Çfarë çelësi do të deshe të kishte për të hapur dyert e jetës, ato dyer që ti besoj nuk i ke gjetur gjithnjë të hapura
Unë, bashkëshortja Albina Shkreli dhe djali 4 vjeçar, Gerardi, kemi vendosur të jetojmë tani për tani në Firence, ndoshta qyteti më i bukur në botë, e jo vetëm për një artist. Të jetosh në këtë qytet është diçka e mahnitshme, s’ka rrugë ku të mos ketë një teatër, s’ka shesh pa skulptura e monumente, plot me muze të çdo lloji: arti, shkence. Këtu vijnë për studime njerëz nga gjithë bota. Është qyteti i Giotto, Caravaggio, Leonardo, Dante, Galilei, Arnolfo di Cambio, Brunelleschi. Gerardi po rritet këtu, mes kësaj kulture të madhe. Por shpresojmë që ai t’i hapë dyert që dëshiron vetë e të zgjedhë profesionin ku ai të mund të shprehet dhe të jetë i lumtur profesionalisht. Meqenëse ra fjala tek e ardhmja e Gerardit. Unë jam shumë tifoz i skuadrës Fiorentina. Bashkë me mikun tim Kodhel Rusta marrim të dy djemtë e sa herë që luan Fiorentina këtu jemi në tribunë. Ndoshta Gerardi me djalin e mikut tim do të luajnë një ditë në fushën e atij stadiumi. Shpresoj… Por shpresojmë gjithsesi që ai t’i hapë dyert që dëshiron vetë e të zgjedhë profesionin ku të mund të shprehet dhe të jetë i lumtur profesionalisht.
Irida Cami – Bota Shqiptare 266, 16 shtator 2011
Fonte: Shaqiptari i italisë